Prodhuesit evropianë të automobilave janë duke kërkuar përkrahje të menjëhershme nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare, pasi që po vuajnë nga ulja e prodhimit, e cila do të çojë drejt humbjeve të mëdha në të hyra brenda vetëm pak javësh. Kjo shkaku i izolimit të njerëzve dhe ndalimit të qarkullimit, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

“Asociacioni i Prodhuesve Evropianë të Automobilave” (ACEA) ka kërkuar veprime të fuqishme dhe të koordinuara për të ndihmuar prodhuesit, përkrahësit e tyre dhe kompanitë e shitjeve që po përballen me goditje “të rëndë” financiare.

“Efekti i koronavirusit në industrinë e automobilave është i paprecedentë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i ACEA-s, Eric-Mark Huitema, përmes një komunikate. “Po bëhet përherë e më e qartë që COVID-19 ka shpënë në krizën më të rëndë ndonjëherë që ka prekur sektorin e automobilizmit”.

Humbjet enorme

Prodhimi i gjerë në Evropë ka pësuar rënie të madhe, si pasojë e mbylljes së fabrikave të shumta. Deri më tani 1.23 milionë automobila përllogaritet se nuk janë prodhuar, ndërsa rreth 1.1 milionë punëtorë thuhet të jenë prekur nga ndikimi i masave, pa përfshirë në këtë mes edhe kompanitë e tjera zinxhirë, ka bërë të ditur ACEA.

Sektori më i gjerë mbulon rreth 13.8 milionë vende pune në Bashkimin Evropian, thuhet tutje në njoftim.

Huitema ka folur edhe për “pasojat e rënda” për industrinë e që shkojnë përtej atyre që mund të parashikohen. Si rezultat, ai ka kërkuar dialog urgjent me liderët evropianë dhe masa të shpejta lehtësuese..