Punonjësit e fabrikës së Audi në Xhera të Hungarisë, janë shpërblyer me bonuse për shkak të punës së “jashtëzakonshme” gjatë pandemisë së coronavirusit.

Tashmë është bërë e zakonshme që prodhuesit e mëdhenj gjermanë të veturave, vazhdimisht t’ju ndajnë bonuse punonjësve pas përmbylljes së një viti të suksesshëm, transmeton Telegrafi.

Kohë më parë ishte raportuar se Porsche ka “qerasur” me nga 8 mijë euro punonjësit e saj, pasi që kjo kompani gjatë vitit të kaluar ka përfunduar me rezultate të jashtëzakonshme – duke marrë parasysh rrethanat.

E tani nga Audi vie lajmi që ky prodhues i veturave do të shpërblej punonjësit për mundin në një fabrikë të saj në Hungari – ku secili punonjës do t’i merr nga njëmijë euro.

Në këtë fabrikë gjatë vitit të kaluar janë prodhuar 155 mijë vetura të markës Audi. Ndryshe, në Xhera prodhohen modelet siç janë Q3, Q3 Sportback, A3 Limousine dhe Audi TT.