Veturat klasike tërheqin gjithmonë vëmendjen, pavarësisht nëse janë në gjendje origjinale ose të modifikuara dhe në mesin e tyre sigurisht që është një Audi 80 nga Britania e Madhe.

Në një farë mënyre, Audi 80 është ende i gjallë pasi A4 modern vazhdon të përdorë nomenklaturën e brendshme të filluar nga modeli i parë 80 (B1), kështu që modeli më i fundit kompakt nga kompania gjermane është i koduar B9. Gjenerata B2 debutoi në shtator të vitit 1978 dhe më vonë u bë një nga modelet më të shitura të Audi në histori. Gjatë periudhës tetëvjeçare, u shitën më shumë se 1.68 milionë kopje.

Edhe motorët më të fuqishëm të ofruar nga Audi 80 (B2) nuk ishin aspak afër atij që tani konsiderohet një motor i fuqishëm. Me lëvizjen e të gjitha rrotave, Quattro, modeli është megjithatë një platformë solide për modifikime të rëndësishme dhe përmirësime ekstreme. Një model vërtet i veçantë i Audi 80 ndodhet në Britani.

Sedani “modest” u prodhua në vitin 1983 dhe tani është ri-regjistruar në mënyrë që të mund të vozitet në Britaninë e Madhe vitin e ardhshëm. Ai u largua nga fabrika me një motor 2.2-litërsh me pesë cilindra me aspirim natyral që zhvillonte 136 kuaj/fuqi dhe kishte lëvizje me të gjitha rrotat. Megjithatë, që kur doli nga punëtoria e Paul’s Classic Car Restaurations, kjo makinë ka dhënë deri në 610 kuaj/fuqi.

Falë modifikimeve, ky është një nga shembujt më të fuqishëm të gjeneratës B2.

Pronari pretendon se vetura ka të njëjtin raport peshë-fuqi si Pagani Zonda, që është një arritje mbresëlënëse. Përveç kësaj, sedani ka edhe disa karakteristika që konsiderohen të avancuara për një makinë që është pothuajse 40 vjeç, dhe ato përfshijnë xhamat elektrike, rregullimin elektrik të sediljeve të përparme dhe të ngjashme.