Komuna e Prizrenit të enjten ka njoftuar se inspektorët e saj kanë gjetur mish pule e gjedhi me afat të skaduar në një supermarket në rrugën Prizren-Gjakovë, dhe se i kanë asgjësuar këto produkte ushqimore.

Vlera e mishit të asgjësuar sipas DI-së është afër 3 mijë euro. Inspektori i Veterinarisë ka propozuar që ndaj operatorit ekonomik në fjalë të merren masat sipas ligjeve në fuqi.

“Drejtoria e Inspektoratit, gjatë kontrollit të rregullt inspektues më 13 mars ka konstatuar se në supermarketin ‘Super Viva’, i cili gjendet në magjistralen Prizren-Gjakovë janë hasur produkte ushqimore me prejardhje shtazore me afat të skaduar dhe me ndryshime organoleptike (pamje, era, ngjyra, shija), si: 1. Mish pule e markës AIA me afat të skaduar në sasi 225.6 kg X 3.60 euro për kg, gjithsej 812.16 euro; 2. Mish pule (kaqika) 12.6 kg X 1.70 euro për kg, gjithsej 21.40 euro; 3. Mish gjedhi i papaketuar dhe me ndryshime organoleptike në sasi 324.7 kg X 6.30 euro, gjithsej 2,045.61 euro”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Drejtori për Inspektorate, Islam Thaqi, ka sqaruar se e tërë kjo sasi e mishit “gjendej në depon logjistike të njësisë së këtij supermarketi, ku përgatitet ushqimi për restorantet tyre”.