Artisti kosovar teston në Meksikë raportet njerëzore

Tri kukulla “voodoo”- e bardhë, bojë kafe dhe e verdhë – në brendi e kanë të instaluar një audio-poezi. Vizitorët mund të ulen në to dhe të dëgjojnë poezitë.

Ato janë personale dhe shpërfaqin raportet midis njerëzve. Këtë trilogji artisti i ri nga Kosova, Dardan Zhegrova, e ka përmbledhur në titullin “Your enthusiasm to tell a story” (Entuziazmi yt për të treguar një rrëfim). Entuziazmin, Zhegrova do ta ndajë edhe me audiencën meksikane. Galeria “LambdaLambdaLambda” e kryeqytetit – e themeluar vitin e kaluar nga historiania e artit, Isabella Ritter, dhe arkitektja Katharina Schendl – është pjesëmarrëse në panairin e artit “Material Art Fair” në Meksikë me veprat e Zhegrovës.

“Material Art Fair” është rikthyer me edicionin e tretë dhe më të madh deri më tani – duke sjellë 64 ekspozues nga e gjithë bota, të cilët do të ekspozojnë materialet e tyre përkrah ekspozitës së Zona Maco në Mexico City. “Panairi i vetëm i këtij lloji në qytet fokusohet ekskluzivisht në artin bashkëkohor. Këtë vit sidomos, koleksionuesit mund të presin të gjejnë një përmbledhje ekspozuesish të kalibrit të rrallë.

Përgatituni të zbuloni galeri siç është ‘LambdaLambdaLambda” nga Kosova, galerinë ‘Acapella’ nga Napoli, ‘Ed Video Media Arts Centre’ nga Kanadaja dhe ‘Good Weather’ nga North Little Rock, Arkanss – emra që do të jenë të rinj edhe për ekspertët më të shquar të artit”, ka shkruar revista online “artspace.com” në artikullin paralajmërues për panairin.

Zhegrova, i cili trilogjinë “Your enthusiasm to tell a story” e kishte ekspozuar në një ekspozitë të përbashkët me Mentor Behlulin e Arvan Berishën në “Lambda…”, në mars të vitit të kaluar, ka thënë se të tri kukullat tashmë ndodhen në Meksikë. Ekspozita në Prishtinë titullohej “I’d, I’ve, I’ll, He’s, He’ll, He’d, She’s, She’ll, She’d, We’re, We’ll”.

“Brenda e kanë të instaluar nga një audio poezi ku audienca mund të ulet në kukull dhe ta dëgjojë atë. Janë poezi personale që flasin për marrëdhëniet mes njerëzve, intimitetin publik, romanticizimin ndërmjet njerëzve si dhe për komunikimin bashkëkohor që ndodh në formë multimediale”, ka shpjeguar ai.

Zhegrova e ka cilësuar të rëndësishëm prezantimin e veprave të veta në këtë panair.
“Është gjithmonë me rëndësi me e nda artin me njerëzit. Unë bashkë me audiencën dhe gjithë ata që e përjetojnë veprën ngrihemi në një nivel tjetër, komunikojmë më realisht”, ka thënë ai.
“Material Art Fair 2016” është hapur të enjten dhe do të mbetet i hapur deri më 7 të këtij muaji në “Expo Reforma”, një qendër në lagjen “Juarez” të Mexico City.

Do të prezantohen mbi 60 galeri, institucione joprofitabile dhe hapësira të udhëhequra nga artistët, e që janë përzgjedhur me kujdes nga komiteti selektues pas një gare ndërkombëtare me aplikime. Është iniciativë e Daniela Elbahara dhe Brett W. Schultz, bashkëdrejtorë të galerisë “Yautepec” të Mexico City dhe Isa Natalia Castilla, themeluese e “Incontemporary”.