Njëzet vjet më parë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dha një paralajmërim të qartë: “Historianët në mijëvjeçarin e ardhshëm mund të shohin se mashtrimi më i madh i shekullit të 20-të ishte besimi se sëmundjet infektuese ishin afër asgjësimit. Krekosja në të vërtetë ka shtuar rrezikun”.

Tok me vende të tjera perëndimore, qeveritë federale dhe ato të shteteve në Amerikë kanë kaluar dekadën paraprake duke zhbërë programet publike të shëndetit që trajtonin sëmundjet e bartshme me qëllim që t’i përqendronin fondet e tyre në sëmundjet zvetënuese: diabetet, sëmundjet e zemrës, kancerin dhe sulmet në tru, shkruan “The Guardian”. Investimet e koorporatave në zhvillimin e vaksinave të reja dhe antibiotikëve thuajse shteruan, teksa dukej e fituar – të paktën në botën e zhvilluar – lufta që njerëzit kishin bërë ndër mijëvjeçarë kundër murtajës.

Michael Osterholm, epidemiolog në Minnesota, e njoftonte Kongresin më 1996: “Jam këtu për t’ju sjellë lajmin e esëllt e të pikëllimtë se aftësia jonë për të pikasur dhe mbikëqyrur kërcënimet e sëmundjeve infektuese ndaj shëndetit tonë në këtë vend është një kërcënim serioz…Në 12 shtete apo territore, nuk është askush përgjegjës për hetimin e sëmundjeve që vijnë nga uji dhe ushqimet”, transmeton KOHA.

Që nga ajo kohë, siç tregon historia ndriçuese e Snowdenit, indiferenca u bë endemike. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka treguar për vite se mekanika e ekonomisë sonë të globalizuar, rritja dramatike në urbanizëm dhe masa e udhëtimeve ndërkontinentale ka shtuar mundësitë që sëmundjet infektuese të shndërrohen e të shpërhapen. Ka identifikuar një rekord prej 1100 “ngjarjeve epidemike” në botë mes viteve 2002 e 2007.

Një vit më vonë, kërkuesit diktuan 335 sëmundje të reja njerëzore që janë shfaqur qysh prej zhvillimit të vaksinës polio në fund të viteve ’50, shumica e të cilave me fillesë nga kafshët (shumë sosh në lakuriqë). “Emrat e tyre nisin nga A deri në Z – nga gripi Avian deri te Zika”, shkruan Snowden, “dhe shkencëtarët tërheqin vërejtjen se ekzistojnë patogjenë larg më të rrezikshëm, sesa ata që janë zbuluar deri më tani”. Megjithatë, kur më në fund pranoi praninë shkatërruese të COVID-19 në popullatën amerikane, përgjigjja e parë e presidentit ishte e tillë plot befasi: “Kush do ta kishte menduar?”