Mesditën e së martës, policia ka arrestuar një person i cili është raportuar nga ish-e dashura e tij se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Express duke u thirrur në burime brenda Policisë së Kosovës raporton se bëhet fjalë për Fazli Jasharin, djalin e Rifat Jasharit.

Sipas kësaj medie, viktima A.E., ka deklaruar në polici se i dyshuari ka ushtruar vazhdimisht dhunë fizike ndaj saj.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka pyetur në Policinë e Kosovës për këtë rast, me ç’rast kanë konfirmuar se një femër ka raportuar se është sulmuar nga një person, i cili është dërguar 48 orë në mbajtje.

“Më datë 08.06.2021, rreth orës 08:00, është raportuar për një rast, Lëndim trupor, që ka ndodhur në lagjen Emshir, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka nisë një hetim lidhur me rastin. Si pasojë e sulmit fizik, në këtë rast lëndime trupore ka pësuar një person (femër), dhe të njëjtës i është ofruar trajtimin i nevojshëm mjekësor”, thotë Flora Ahmeti zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Reporteri.net.

Ajo thotë se personi i dyshuar është arrestuar nga ana e policisë dhe i njëjti me rekomandimin e prokurorit të shtetit nështë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.