Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se pesë aktivistë të saj janë arrestuar për shkak të grafitit “Drejtësi për Astritin”, transmeton Llapi.info.

Sipas Vetëvendosjes, këta aktivistë po mbahen në stacionin policor në Besianë.

“Aktivistët: Nurije Demaliaj, Nol Nushi, Blerim Maqestena, Abër Sfishta dhe Kreshnik Gega u shoqëruan për në polici pasi kishin bërë grafite që kërkojnë drejtësi për aktivistin Astrit Dehari që vdiq në burg më 5 nëntor 2016, derisa po mbahej aty si i pafajshëm e me akuza të montuara politikisht”, thotë LVV-ja.

Sipas LVV-së sistemi i cili e burgosi Astritin, është po ai sistem i cili sot po do që t’i heshtë zërat që kërkojnë drejtësi për Astritin.

“Ky sistem që e ka burgosur Astritin pa asnjë fakt është i njëjti që ende nuk e ka bërë askënd të japë përgjegjësi për vdekjen e Astritit brenda institucionit të sigurisë. Po ky sistem sot, po do që t‘i heshtë zërat që kërkojnë drejtësi për Astritin. Por kjo kërkesë nuk mund të anulohet sepse po kërkohen anekënd Kosovës. Qytetarët nuk mund të pajtohen me padrejtësinë e vdekjes së Astritit dhe me faktin që ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi. ‘Drejtësi për Astritin’ është thirrja jonë e pareshtur deri në realizimin e saj si kërkesë”, thotë më tutje LVV-ja.

Arrestimin e këtyre aktivistëve Vetëvendosje e quan skandal të radhës të këtij pushteti dhe thonë se askush nuk mund ta ndalë këmbënguljen për drejtësi./Llapi.info