Autoritetet zvicerane kanë bërë një goditje të trafikut të drogës, duke arrestuar pronarin e një kompanie udhëtimesh në Aargau dhe vëllain e tij. Të dy kosovarët janë kapur në përpjekje për të kontrabanduar 116 kg marihuanë në Zvicër, shkruan Aargauer Zeitung.

Policia e Kantonit Aargau ka njoftuar të mërkurën se në mes të qershorit, ka arrestuar dy të përmenduri në një operacion të përbashkët me Administratën Federale të Doganave, transmeton albinfo.ch.

Arrestimi është bërë pas një pune të gjerë hetimore. Në kantonin Vaud, doganierët më kishin ndaluar një autobus udhëtarësh dhe një makinë shoqëruese që kishin kaluar kufirin zviceran disa minuta më parë.

Në rimorkio kishte 116 kilogram marihuanë të paketuar. Droga ishte fshehur pas një muri të dyfishtë, përcjell albinfo.ch. Policia vlerëson mbi një milion franga vlerën në treg të kësaj droge.

Reklamë

Gjatë operacionit, policët kanë arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë. Bëhet fjalë për dy kosovarë, të moshës 26 dhe 45 vjeç, të cilët vozitnin autobusin. Roli i saktë i katër të akuzuarve tani po hetohet. Aktualisht vlen prezumimi i pafajësisë.