Arrest shtëpiak për pjesëtarin e AKSH-së, i kapur me 12 kg eksplozivë...

Arrest shtëpiak për pjesëtarin e AKSH-së, i kapur me 12 kg eksplozivë TNT

Një grup prej tre personash, përfshirë një pjesëtar të të ashtuquajturës Armata Kombëtare Shqiptare janë zënë më 12 kilogramë e gjysmë eksploziv të llojit TNT dhe dy pushkë mitraloz të kalibrit të madh të hënën në Fushë-Kosovë.

Por një ditë më vonë, ata janë liruar nën masën e arrestit shtëpiak. Të mjaftueshme këtë masë e ka vlerësuar Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Sheremet Jashari (1955) nga Klina e Mesme e Skenderajt, Avdullah Rama (1968) nga Sankoci dhe Naser Veseli nga fshati Braboniq i Mitrovicës kanë qenë rreth dy muaj muaj nën përgjim dhe vëzhgim të drejtorisë kundër krimit të organizuar të Policisë së Kosovës.

Të dyshuarit – me të kaluar kriminale dhe me lidhje me organizatën e shpallur terroriste – AKSH, janë kapur me këtë sasi kaq të madhe eksplozivi dhe me armë të pajisura edhe me dylbi.

Pavarësisht kësaj, prokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Njazi Rexha ka propozuar vetëm masë të arrestit shtëpiak si masë të mjaftueshme, ani se në kërkesën për paraburgim i si grup të organizuar kriminal.

Mbi këtë kërkesë ka vendosur gjyqtari i procedurës paraprake, Ali Kutllovci duke aprovuar propozimin.

Të arrestuarit kanë të kaluar kriminale. Sheremet Jashari e ka pranuar publikisht se ka qenë pjesëtar i AKSH-së, organizatë kjo e shpallur terroriste me një vendim të UNMIK-ut. Ka më shumë se 11 raste të veprave penale.

Sheremet Jashari dhe Avdullah Rama ishin ndaluar kohë më parë nga Policia e Kosovës së bashku me anëtarin e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muhamet Kelmendin. Ata, ndodheshin në një kombibus duke shkuar në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit. Dyshoheshin për përgatitje të një sulmi terrorist. Kelmendi më vonë ishte liruar.

Gazeta online Insajderi ka siguruar dosjen hetimore kundër të pandehurve që ishin përgjuar. Ditën që ishin arrestuar në Fushë-Kosovë, kishin planifikuar të shkonin në fshatin Shankoc të Drenasit për të marrë sasinë e eksplozivit.

“Gjatë përgjimit është kuptuar se Sheremet Jashari furnizohet me armë nga persona të ndryshëm. Ai bashkëpunon me Naser Veselin dhe Avdullah Ramën si dhe një person të katërt të cilët kanë planifikuar dërgesën e armëve dhe eksplozivit 30 janarit 2016”, thuhet në kërkesën e prokurorit për arrest shtëpie.

Gjatë bisedës telefonike në mes të Naser Veselit dhe Sheremet Jasharit në lidhje me armët përmendet edhe një person me emrin Genc. Ata merren vesh për paratë dhe pagesat që duhet tu bënin ndërmjetësve.

Megjithëkëtë rrezikshmëri, prokurori ka propozuar vetëm arrest shtëpiak.

Hetuesit që kanë punuar këtë rast kanë mbetur të habitur me veprimet e Prokurorisë që ka propozuar masë të arrestit shtëpiak. Ata kanë thënë në kushte anonimiteti se me këtë Prokuroria ka rrezikuar një punë shumë të gjatë për kapjen e këtyre personave që konsiderohen shumë të rrezikshëm.

Por, prokurori i rastit Njazi Rexha ka mohuar se ka pasur ndonjë ndërhyrje për të propozuar këtë masë. Ai ka thënë për gazetën Insajderi se dikush po mundohet ta degradojë dhe sulmojë atë.

“Kallëzimi penal prej 4 faqesh më ka ardhur vetëm 30 minuta para përfundimit të afatit ligjor. E kam marrë edhe kam hyrë në seancë. Unë e kam vlerësuar se kjo masë është e mjaftueshme”, ka thënë prokurori Rexha.