Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar, i cili me automjetin e tij ‘kombi’ tentoi të kalojë ilegalisht kufirin dhe të fusë mallra të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë.

Sipas komunikatës së Policisë, gjatë realizimit të planit operativ të quajtur “Befasia” me datën  24 qershor, në orën 19:40, në fshatin Ballaban të komunës së Zveqanit, është ndaluar automjeti ‘kombi mercedes’ me targa të Serbisë të cilin e ngiste i dyshuari D. B., mbi dyshimin e bazuar se kishte mallra të kontrabanduara nga territori i Serbisë.

Zyrtarët policorë në bashkëpunim dhe koordinim me zyrtarët doganorë kanë bërë kontrollimin dhe numërimin preliminar të mallit të kontrbanduar, të evidentuar si në vijim: Rreth 770 pako (boksa) cigare me banderola ‘SRB’ të llojeve të ndryshme 770 X 10 =7700 paketime, mbi 1000 palë xhinse dhe 10 palë patike.

Siç bëhet e ditur tutje, bazuar në informacionet e para, sipas zyrtarëve doganorë vlera minimale e mallit kalon afërsisht vlerën 13000 euro, përderisa sipas procedurave pritet të bëhet numërimi dhe verifikimi i detajuar, përfshirë edhe caktimin e vlerës së  taksës dhe vlerës së mallit.

Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë  Themelore Mitrovicë janë iniciuar rastet ”Kalim i paautorizuar i  vendkalimeve kufitare apo vijës kufitare” dhe “Kontrabandim me mallra”, përderisa personi i dyshuar pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Kurse, lënda procedohet në procedurë të rregullt përderisa automjeti dhe malli i kontrabanduar i janë dorëzuar Doganës së Kosovës.