Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është përplasur me ish-ministrin Armend Zemaj, në Komisionin e Shëndetësisë lidhur me menaxhimin e pandemisë, procesin e vaksinimit dhe strategjinë legjislative të ministrisë.

E gjitha ka nisur pasi që ministri Vitia tha se kur ka marrë detyrën nuk i është ofruar asnjë kontakt me prodhuesit e vaksinave nga ish-qeveria Hoti.

“Ne nuk kemi gjetur apo nuk na është ofruar ndonjë kontakt me prodhuesit e vaksinave kur kemi ardhur në detyrë. Nuk na është ofruar as marrëveshja e konfidencialitetit që ofrohet gjatë negocimit me prodhues. Procesi i vaksinimit që është vital për t’u kthyer në normalitet”, tha Vitia, para anëtarëve të Komisionit, shkruan Reporteri.net.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-ministri Zemaj, i cili tha se një gjë e tillë është e pavërtetë.

Sipas ish-ministrit, Vitia po tenton që “paaftësitë e tij menaxheriale t’i paraqes si situatë të komplikuar pandemike”.

“Po vazhdoni pa ndonjë plan dhe ide veç me vajtim dhe ankesa për të kaluarën. Nuk ju bën nder as ju, këtë e kanë parë edhe qytetarët, nuk keni paraqitur as program politik për sektorin e shëndetësisë dhe këtë po e tregoni edhe sot. Nuk janë të vërteta ato që deklaruat, të gjitha dosjet që lidhen me vaksinat përfshirë edhe procesin e të gjitha negoacitave dhe kërkesat e vetadresuara në institucionet ndërkombëtare ju kam dorëzuar në pranim të dorëzimin e detyrës, edhe pse unë nuk kam pranu asnjë dokumentacion kur e kam marrë mandatin”.

Zemaj i tha Vitisë se ku është dokumenti duhet t’ia kërkon stafit të tij.

“Unë kam qenë në Prishtinë z.ministër, edhe stafi im, krejt çka është dashtë janë pesë minuta me ardhë me një USB më ju informu për atë që ju kam ofru, jam i gatshëm në çdo moment në çdo orë të kem një komunikim për procesin e vaksinave. Nuk e di çfarë qëllimi keni që thoni të pavërteta. Çdo komunikim që kam pas, menjëherë e kam përcjellë te ju dhe e kam përcjell me gëzim se është në interes të qytetarëve”, tha Zemaj.

Por Vitia i tha Zemajt se në asnjë moment nuk e ka përmend Pfizerin, por vetëm ka dorëzuar disa foldera.

“Kam kërkuar nga kabineti jo një herë, por disa herë, janë vendime administrative. Asnjë dokument për vaksinat në lidhje me negociatat nuk e kemi gjetur”, ka pohuar Vitia.

Por Zemaj ka insistuar se dosja për negocim për vaksina, jo vec me Pfizer por edhe me kompani tjera ka qenë në tavolinë.