Kryetari i Komisionit për Buxhet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Armend Muja ka arsyetuar projeksionin buxhetor, të paraqitur në projektligjin për buxhetin e vitit 2021 në seancën e sotme parlamentare, ku pritet të votohet.

Ai ka thënë se Komisioni për Buxhet në disa mbledhje të mbajtura e ka shqyrtuar projektligjin dhe në  mbledhjen e mbajtur së fundmi është diskutuar që këtë ligj duhet të mbështet në tërësi dhe të njëjtin e ka rekomanduar edhe në mbledhjen e Kuvendit.

Muja, duke përmendur disa nga ndryshimet që bartë projektligji, ka thënë se në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së, do ta mbështesin projektligjin.

“Shpenzimet në kuadër të ligjit për ndarje buxhetore të vitit 2021, ishin parashikuar të jenë rreth 2.4 miliardë euro. Në ndërkohë në bazë të rishikimit të buxhetit, parashihet që shpenzimet të rriten për 68 milionë euro, për të financuar prioritete ekonomike për ringjallje ekonomike, e po ashtu edhe prioritetin për financimin e nevojave shëndetësore”, ka thënë Muja në arsyetimin e këtij projektligji.

Muja po ashtu ka theksuar se për herë të parë në Republikën e Kosovës të hyrat e përgjithshme kalojnë mbi 2 miliardë euro.

“Ne besojmë që kjo ka ardhur për shkak të performancës më të mirë ekonomike, mirëpo edhe për shkak të besimit të shtuar të ndryshimit qytetar”, ka thënë ndër të tjera Muja.

Sipas deputetit të LVV, borxhi publik ishte parashikuar që të ketë një vrimë buxhetore prej 563 milionë euro mirëpo me rishikimin e buxhetit për vitin 2021, është zvogëluar në 473 milionë euro.

Ai ka treguar edhe për disa ndryshime që i parasheh ky projektligj.

“Ky rishikim paraqet disa ndryshime siç janë 34 milionë euro më shume për Ministrinë e Shëndetësisë dhe shërbimit spitalor, kemi rreth 60 milionë euro më shumë për transfere, rreth 22 milionë euro për Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, kemi 12 milionë euro më shumë  për Ministrinë e Bujqësisë, kemi 11 milionë euro më shumë për nivelin lokal dhe komunat dhe disa nga kontratat e dëmshme në lidhje në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Mbrojtjes janë anuluar”, tha Muja.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës është duke u bërë shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.