Gjykata e Apelit e ka vërtetuar gjykimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës që e shpalli Fatmir Limajn të pafajshëm në rastin e njohur si ‘Bellanica’.
Gjykata Themelore në Gjakovës, në mars të këtij viti ka shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn në lidhje me vrasjet e dy civilëve Ramiz Hoxhës e Selman Binishi.

Hoxha e Binishi ishin vrarë më 2 tetor 1998 në Komunën e Malishevës gjatë kohës së luftës, pasi, sipas prokurorisë, ishin marrë nga persona të maskuar e të armatosur me uniforma të UÇK-së.

Lidhur me këtë rast, aktakuza ndaj Limajt për krime lufte ishte ngritur më 28 tetor 2016.

Në aktgjykim e Gjykatës së Apelit të siguruar nga kallxo.com u refuzua si e pabazë ankesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës.

“Gjykata.. aktgjykimin e vlerësoi dhe gjeti se gjykata e shkallës së parë a dhënë arsye të qarta dhe të plota rreth argumentit se i akuzuarin Fatmir Limaj nuk është kryes i veprës penale ‘krimi i luftës kundër popullsisë civile… krimet e luftës për shkelje të rënda…të përbashkët me Konventat e Gjenevës…”,thuhet në akgjykim. Aktakuza ndaj Limajt për krime lufte ishte ngritur më 28 tetor 2016.

Në aktgjykim tutje thuhet “gjykata drejt ka vlerësuar se nuk është provuar me asnjë provë të vetme se i akuzuari ka kryer veprën penal e cila ka qenë objekt i akuzës dhe nuk ekziston asnjë fakt vendimtar, apo provë e besueshme se i akuzuari Fatmir Limaj si pjesëtar i UÇK-së, ka qenë komandant ushtarak i brigadës 121 e sipas objektit të akuzës, brigadës 121 është formuar gjatë muajit gusht të vitit 1998 në të cilën dhomë të përgjegjësisë civile e në të cilin hyn edhe fshati Bellanicë. Me datën 02.10.1998 janë marrë të ndjerët Ramiz Hoxha nga Bellanica dhe Selman Binishi nga fshati Banjë nga persona të paidentifikuar në një veturë Golf…të cilët më vonë janë gjetur të vdekur dhe të ekzekutuar në hyrjen e fshatit Kravaseri’.

Aktakuza e ngarkonte të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.