Edhe pse Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte hedhur poshtë aktakuzën për korrupsion ndaj Liburn Aliut dhe disa zyrtarëve të tjerë, Gjykata e Apelit ka vendosur që ta kthej rastin në rivendosje.

Apeli ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në çështjen penale për rastin ku i akuzuar është ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, i datës 14.06.2021, është anuluar dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin e datës 14.06.2021, kishte hedhur aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 24.07.2020 dhe kishte pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K.,B.U. dhe M.B-P.

Njoftohet se Gjykata e Apelit e Kosovës pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së PTH-së në Prishtinë, në këtë çështje penalo-juridike, ka vlerësuar se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje.

Akuzat ndaj këtyre zyrtarëve kanë të bëjnë me punën e tyre, sa ishin të angazhuar në komunën e Prishtinës.