Një skenë e ngjashme me ato të filmave aksion të Hollywoodit, ka ndodhur në qytetin rus Kostromi, ku disa persona rrezikuan jetën e tyre për t’i shpëtuar disa fëmijë që kishin ngecur në apartamentin e tyre në katin e tretë të ndërtesës së përfshirë nga zjarri.

Ata nuk hezituan të ngjiten nëpër gypat e ujit, dhe t’i nxjerrin nga dritarja fëmijët që kishin ngecur brenda dhe rrezikoheshin të digjeshin për së gjalli, transmeton Telegrafi.

E momenti i shpëtimit është filmuar nga kalimtarë të rastit, kurse pamjet janë transmetuar edhe nga mediat ruse.

Në video shihen tre burra duke qëndruar të varur nëpër gypa, ku i pari që ishte ngjitur më së larti i zbriste një nga një fëmijët – duke ua dorëzuar të tjerëve që ishin më poshtë.

Mediat lokale raportojnë se në momentin që zjarri kishte shpërthyer, dera e apartamentit ishte mbyllur nga prindërit që në ato momente nuk ishin brenda.