Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një njoftimi të publikuar në web faqen e tyre, ka bërë të ditur se është anuluar konkursi për Zyrtar Korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, raporton zeri.info.

“Anulimi i konkursit  bëhet duke u bazuar në Vendimin e U.D.Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës me Nr.të protokolluar 467 të datës 05.04.2018”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Jeton Kabashi, zyrtar për komunikim me publikun në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka thënë për Zërin se në bazë të rekomandimeve të Avokatit të Popullit është marr vendimi për anulimin e konkursit.

“Ju njoftojmë se në bazë të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, Ministria e Drejtësisë/Shërbimi Korrektues i Kosovës ka marrë vendim që të anuloj konkursin. Konkursi do të ri-hapet në një të ardhme të afërt”, ka thënë ai.

Përndryshe është hera e dytë që ky konkurs është duke u anuluar. Vitin e kaluar pasi që kandidatët kishin kryer testin me shkrim  dhe atë fizik, ishin lajmëruar se konkursi ishte anuluar.

Kjo kishte shfaqur edhe shumë pakënaqësi tek kandidatët të cilët kishin kaluar të dy testet.

Konkursi për Zyrtarë Korrektues ishte hapur me datën 12.02.2018 dhe ishte mbyllur më 26.02.2018.

Image