“Anibar” pret filma të animuar nga e gjithë bota

Festivali i animacionit “Anibar” të enjten ka lansuar thirrjen për filmbërësit që me veprat e tyre të marrin pjesë në edicionin e radhës. Për të konkurruar kanë kohë deri më 30 prill. “Anibar” këtë vit organizon edicionin e tij të shtatë.

Ashtu si herëve të kaluara, ky festival do të zërë vend në qytetin e Pejës, duke nisur nga data 15 deri më 21 gusht. Filmat të cilët do të përzgjidhen për të qenë pjesë e këtij edicioni do të garojnë në tetë kategori të ndryshme. Këtë vit do të ndahet kurora për filmin më të mirë në kategorinë ndërkombëtare, ajo për kategorinë për filma të Ballkanit, si dhe për filmin më të mirë në kategorinë e studentëve.

Këtë vit do të ndahet edhe çmimi i publikut, çmimi për kauzën më të mirë, kurora për videon e animuar muzikore më të mirë, kurora për filmin më të mirë për mjedis, si dhe kurora për filmin më të mirë për fëmijë. Këto informacione janë bërë të ditura nëpërmjet një komunikate për shtyp të dërguar nga “Anibar”.

“Anibar inkurajon filmbërësit të marrin pjesë në këtë fazë të përzgjedhjes së filmave. Aplikimet janë pa pagesë dhe të hapura për filmat që përfshijnë animacione të gjeneruara me kompjuterë dhe kombinimet e animacionit me live action. Aplikimet janë të mirëpritura nga profesionistët, studentët dhe të gjithë filmbërësit që e kanë përfunduar filmin e tyre të animuar pas datës 1 janar 2015”, shkruhet në komunikatë. Aty po ashtu janë dhënë detaje për aplikim.

“Për të aplikuar duhet të plotësohet forma online, që mund të gjendet në ueb-faqen e ‘Anibarit’ dhe duhet që filmat të ngarkohen online në platformë”, shkruhet në komunikatë.
Vitin e kaluar nga 1 mijë e 800 filma sa kishin konkurruar, fiks 170 prej tyre janë shfaqur në kuadër të festivalit.

Edicioni i gjashtë, përveç filmave, solli edhe punëtori e ndeja me bende e DJ lokalë e ndërkombëtarë. Mysafir special i vitit të kaluar ishte regjisori, producenti e skenaristi i mirënjohur amerikan, Mike Reiss, i njohur më së shumti për punën e tij në serialin e famshëm të animuar, “The Simpsons”.

Reiss ndau përvojat e tij nëpërmjet punëtorive e masterklaseve që i realizoi me pjesëmarrësit e festivalit. Çmimin e parë në kategorinë “Best Internacional” e mori filmi “We can’t live without cosmos”, nga Rusia, i cili mori edhe çmimin e publikut.