Seleksionuesi i Anglisë, Gareth Southgate, të enjten, ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet e fundit në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2020”.

Anglia këtë cikël eliminator do ta mbyllë me ndeshjen që do ta luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Përfaqësueses së Kosovës, më 17 nëntor. Ndërsa tri ditë më herët do ta pretë në shtëpi Malin e Zi dhe me fitore eventuale ndaj këtij ekipi, do ta sigurojë pjesëmarrjen në evropianin që mbahet vitin tjetër.

Në fakt, Anglisë i mjafton vetëm një pikë për të prerë biletën për këtë ngjarje të madhe evropiane. Anglia i prin Grupit A me 15 pikë të tubuara pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, duke lënë pas vetes Çekinë (12) dhe Kosovën (11 pikë), shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Bullgaria mbajnë dy pozitat e fundit në tabelë me nga tri pikë dhe shtatë ndeshje të zhvilluara deri më tani.

Southgate për këto dy ndeshje në ekipin e tij të zgjeruar ka ftuar 27 futbollistë, ku në mesin e tyre janë edhe të rinjtë, si mbrojtësi John Stones (Everton), mesfushori Alex Oxlade-Chamberlain (Liverpool) dhe sulmuesi i krahut, Callum Hudson-Odoi (Chelsea), të cilët nuk ishin pjesë e Anglisë në ndeshjen e parë kundër Kosovës, të cilën anglezët e fituan me rezultatin 5:3 më 10 shtator.

Oxlade-Chamberlain është rikthyer te Anglia pas paraqitjeve të mira që i ka pasur në ndeshjet e fundit te Liverpooli, pasi për një kohë të gjatë ishte jashtë fushës shkaku i lëndimit. Ai ka shënuar katër gola në 13 paraqitje te Liverpooli në të gjitha ndeshjet, ndërkohë Hudson-Odoi ishte fantastik te Përfaqësuesja U-21 e Anglisë. Southgate nuk ka përjashtuar mundësinë që në këto dy ndeshje t’u japë mundësinë lojtarëve të rinj për ta dëshmuar veten. Ai ka thënë se ka ftuar më shumë futbollistë, sesa zakonisht për arsye personale.

“Në listë ka lojtarë të profileve të ndryshme, të cilët kohët e fundit kanë impresionuar me paraqitjet e mira, si Oxlade-Chamberlain e Hudson-Odoi që e kanë marrë veten shumë shpejt pas rikuperimit nga lëndimet. Jam i lumtur që janë kthyer në këtë mënyrë, pasi dua të kem në dispozicion sa më shumë lojtarë”, është shprehur Southgate. “Kam bërë një listë më të gjatë se zakonisht, pasi kemi disa shqetësime të lojtarëve. Kështu që jam siguruar të kem lojtarë mjaftueshëm”.

Southgate nuk ka folur për dy ndeshjet e ardhshme, kurse Anglia grumbullimin për këto duele që i luan javën tjetër, do ta nisë të hënën. Në listën e Anglisë janë të gjithë yjet e kësaj përfaqësueseje.