Raportet e deri tanishme tregojnë që gjasat janë të mëdha që LDK të mos e pranoj ofertën e re të Vetëvendosjes, kështu thonë njohësit e çështjeve politike. Ndërsa nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, ka thënë se Vetëvendosje nuk ka sjell asgjë të re me ofertën e fundit.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka pranuar se partia e saj i ka dërguar ofertën e re LDK-së, po që nuk ka dashur ta komentojë përmbajtjen e saj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka thënë se oferta e fundit nga Vetëvendosje nuk ka sjell diçka të re dhe serioze që do të mund ta zgjidhte situatën drejt një marrëveshje përfundimtare. Në një prononcim për Telegrafin, Veliu ndër të tjera ka thënë:

“Unë po flas personalisht nuk është diçka serioze. Jemi duke e shqyrtuar për mundësi të reja, megjithatë nuk ka diçka të re. Nuk ka diçka serioze aty që mund të na nxjerrë prej situatës, Duhet ta shqyrtojmë me organet e LDK-së edhe besoj se do të bisedojmë për parime të marrëveshjes, nuk e di çfarë kemi të shqyrtojmë në këtë ofertë.”


Njohësi i çështjeve politike Faton Abdullahu, thotë se raportet e deritanishme mes dy partive më të votuara në zgjedhjet e 6 tetorit, na bëjnë të dyshojmë që LDK do të pranojë ofertën e Vetëvendosjes.

“Krahas kësaj oferte ne po vazhdojmë duke dëgjuar akuza të ndërsjelle që shtyjnë të gjithë të mendojnë se kemi një hezitim të madh të palëve që kanë dalë fituese në zgjedhje. Kemi mosbesim të madh mes palëve që po shtohet e stërkeqet. Prandaj këto arsye na bëjnë skeptikë që besojmë se do të ketë ndryshim në qëndrime”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Faton Abdullahu.

Edhe njohësi i çështjeve politike Rasim Alija thotë se LDK ka gjasa ta refuzoj ofertën e Vetëvendosjes, pasi sipas tij, mirëbesimi i dy subjekteve politike është thyer për shkak të pozitës së krye-parlamentarit.

“Asgjë nuk është e garantuar që LDK s’do ta refuzojë edhe një ofertë të tillë. Unë besoj që problemi është edhe te puna e krye parlamentarit sepse LVV ka shkuar në seancë pa marrëveshje me LDK-në dhe kjo duket se ka thyer mirëbesimin mes palëve”, deklaroi Rasim Alija.

Sa i përket ofertës së re të Vetëvendosjes, analistët thonë se rritja e numrit nga 12 në 14 ministri, do të thotë lëvizje nga parimet dhe se LDK e VV nuk do të sjellin ndonjë ndryshim në mendësinë politike në Kosovë.