Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte kërkuar interpretim për ndarjen e vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.

Kushtetuesja, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se kërkesa e presidentes nuk e ka plotësuar njërin kriter pasi kompetenca e Presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

E analistët politikë vlerësojnë se përgjigja e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet, dhe se presidentja Vjosa Osmani duhet të bëjë një zgjidhje korrekte.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu deklaroi për Telegrafin se Osmani nuk ka pasur fare nevojë të bëjë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, pasi që përfaqësimi i subjekteve politike është i rregulluar me Ligjin për Zgjedhje.

“Presidentja Osmani nuk ka pasur fare nevojë të dërgojë kërkesë Gjykatës Kushtetuese, sepse është e qartë në Kushtetutë, pa dashtë të paragjykoj vendimin. Unë kam thënë të vjen sa më shpejt përgjigjja e Kushtetueses, për shkak se nuk kemi kohë dhe duhet të kompletohet KQZ, sepse zgjedhjet janë afër. Në Kushtetutë për Ligjin për zgjedhje është e qartë, që më shumë se dy përfaqësuese partia më e madhe nuk mund t’i ketë, dhe ajo ka dashtë si duket të ketë një vegël aty, dhe brenda partisë fituese te këtë një të Listës Guxo”, u shpreh ai.

Ai shtoi tutje se Osmani duhet të bëjë zgjidhjen e duhur, në mënyrë që të gjithë të jenë të përfaqësuar në KQZ.

“Sidoqoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet, dhe kjo çështje duhet të merr zgjidhje, jo në mënyrë arbitrare nga presidentja, por duhet të thirren partitë politike dhe të interpretohet Kushtetuta dhe të merren vesh për një zgjidhje korrekte, në mënyre që jo dikush të jetë super i përfaqësuar e dikush të mos jetë hiq”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, Ehat Miftaraj Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, pohoi për Telegrafin, se përgjigja e Kushtetues ka qenë e pritshme.

“Përgjigja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë e pritshme së paku në komunitetin e juristëve, pasi e njëjta përgjigje është në pajtim të plotë me praktikën e ndërtuar nga kjo gjykatë edhe në rastet e mëhershme kur ish Presidenti Thaçi kishte kërkuar opinion të tillë dhe gjykata kishte kthyer pothuajse përgjigje të njëjtë”, pohoi ai.

Ndryshe, presidentja Osmani në muajin maj kishte emëruar tetë anëtarë të KQZ-së. Ndërsa siç kishte njoftuar presidenca për emërimin e dy anëtarëve të tjerë ekzistonte një paqartësi e dispozitave kushtetuese, ku si rrjedhojë Presidentja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretimin e Nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës duke u bazuar në nenin 84 si dhe nenin 113 të Kushtetutës.