Ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina deklaroi se vendi i tij nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se ky qëndrim nuk do të ndryshojë edhe nëse ata hapin një zyrë në Prishtinë.

Në një intervistë për gazetën serbe Kurir, ambasadori spanjoll tha respekton Rezolutën 1244 të KS të OKB-së ndërsa bëri thirrje për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit, transmeton Reporteri.net.

“Pozicioni i Spanjës për njohjen e pavarësisë të Kosovës nuk ka ndryshuar dhe as nuk do të ndryshojë. Kjo është politikë zyrtare e shtetit që nuk ndryshon në raport me partitë politike që janë në pushtet në një periudhë të caktuar. Është një pozicion që harmonizohet me të gjithë aktorët politikë dhe që bazohet në respektimin absolut të së drejtës ndërkombëtare nga Spanja. Pavarësia e njëanshme që territori deklaroi në vitin 2008 ishte shkelje e një prej parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare – parimit të integritetit territorial. Në atë kuptim, meqenëse pozicioni i Spanjës bazohet në arsye objektive dhe ligjore, si dhe mbështetet gjerësisht në vend, ai është shumë i fortë. Çdo thashethem për të kundërtën nuk është gjë tjetër veçse spekulim i pastër”, u shpreh ai.

Ambasadori spanjoll foli edhe për mundësinë hapjes së një zyre në Prishtinë, por që sipas tij kjo nuk do të ndikojë në ndryshimin e qëndrimit të Spanjës rreth pavarësisë së Kosovës.

“Sa i përket mundësisë së hapjes së një zyre në Prishtinë, duhet të kihet parasysh se shumica e shteteve të BE-së që nuk e njohin Kosovën janë tashmë të pranishëm në atë territor dhe se kjo nuk presupozon ndonjë ndryshim në pozicionin e tyre. Në çdo rast, çdo vendim i Spanjës në atë drejtim sigurisht që do të merret në bashkëpunim me partnerët tanë serbë. Dhe, e përsëris kjo nuk do të ndikojë në qëndrimin tonë”, u shpreh ai.