Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, në një lidhje direkte në edicionin e lajmeve të emisionit të mëngjesit në Klan Kosova, ka thënë se vetëm qytetarët që kanë urgjenca mund të kthehen në Kosovë.

“Kjo nuk është çështje dëshire por emergjente. Një numër i madh i qytetarëve është prekur. Ambasada është duke u munduar të bëjë një organizim për tu kthyer. Ministrja e Jashtme dhe Ambasada kanë një set të rregullave që duhet ti ndjekim. Ne kemi thënë që vetëm ata që kanë urgjenca mund të kthehen “.

Kasapolli theksoi se zgjatja e leje qëndrimeve është bërë konform situatës dhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Ne iu kemi zgjatë leje qëndrimet sipas rekomandimit të Organiztës Botërore të Shëndetësisë. Të gjithë ata që kanë ardhur në Zagreb kanë ardhur me kontrata pune dhe kanë marrë paga. Askush nuk ka ardhur me rekomandim të Ambasadës, por me iniciativë vetanake. E di se Zagrebi është qytet i shtrenjtë “.

Ndërsa, Haxhi Krasniqi, një qytetar nga Kosova tregoi në një lidhje direkte më herët rreth gjendjes në të cilën ndodhet Zagrebi pas tërmetit që e ka goditur.

Ai shtoi se e ka të pamundur të kthehet në Kosovë shkaku i mbylljes së kufijve, për shkak të koronavirusit.

“Rasti im është delikat. Unë kam ardhur të punoj këtu. Unë kam pasur të kthehem në Kosovë me datë 15, por për shkak të mbylljes së kufirit kam mbetur, për shkak të koronavirusit. Kam biseduar me Ambasadën por nuk na kanë ofruar ndonjë informatë. Unë jam duke fjetur në një hotel të shtrenjtë nuk e di se sa do të zgjatë kjo. Kam filluar të mbetem pa para. Ambasada po thotë vetëm lëreni numrat, asgjë ma shumë “.