Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas raportimit të sh-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, para Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Simmons ka thënë të hënën, se “misioni i EULEX-it nuk ishte Mision i sundimit të ligjit, por Mision politik”.

Sipas tij, EULEX kishte për qëllim të hiqte nga skena politike, ata që ai i ka cilësuar “peshq të mëdhenj”, ose ata persona, që janë parë nga ky Mision, si pengesë për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), duke i konsideruar hamendësime të pamenduara dhe të pabazuara deklaratat e Malcolm Simmons, shkruan Telegrafi.

Në reagimin e Zyrës së EULEX-it është thënë se Simmos është përfshirë në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me shkeljet, që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe, e cila ka për qëllim t’i shërbejnë motiveve dhe interesave të fshehta.

Reagimin e Zyrës së EULEX-it e ka mbështetur edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, përmes një postimi në Twitter.

“Refuzim shumë bindës dhe gjithëpërfshirës i EULEX-it për pretendimet e paqena. Unë thjesht pyes veten pse Kuvendi i Kosovës ende i siguron ish-gjykatësit Simmons një hapësirë për të vazhduar këtë fushatë dezinformomi”, ka shkruar Rohde.

Simmons të hënën, para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, përmes një video-lidhjeje ka raportuar për skandalet e EULEX-it në Kosovë përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet te dëshmitarët.

Ai tha se kishte direktiva që gjykatësit e këtij misioni t’i largonin nga skena politike disa politikanë që konsideroheshin si “peshq të mëdhenj”, duke i dënuar.

“Më kanë thënë se misioni ka synuar të largojë nga jeta politike persona që quheshin peshqit e mëdhenj. Më thanë se presin të shohin gjykatësit e EULEX-it t’i dënojnë ata. Nëse ju vendosni të hapni një hetim të plotë, unë dua t’ju ofroj detaje të plota të rasteve kur ka pasur ndërhyrje në hetime”, tha Simmons.

Ish-kryegjykatësi i EULEX-it tha se kishte ndërhyrje edhe në e-mailet e tij.

Ai tha se dënimet në rastet për krime lufte, siç ishte rasti i njohur si “Kleçka” dhe “Drenica 1 dhe 2” – ku ishin të përfshirë figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ishin parë nga Brukseli si kruciale për përparimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.