Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott, është takuar me drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliun.

Abbot në një postim në Facebook ka thënë se ka përgëzuar Llugaliun për punën në krye të Doganës, ku është shënuar rekord i të ardhurave.

“Sot pata drekë me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu. E përgëzova drejtorin për shifrat rekorde të të ardhurave që ka arritur Dogana e Kosovës. Si dhe shifrat e përmirësuara në luftën kundër ekonomisë joformale, korrupsionit dhe përparimin shumë të mirë që ka bërë në digjitalizimin e sistemeve për qytetarët e Kosovës. Unë e sigurova se do të vazhdoj t’i mbështesë Doganat e Kosovës”, ka shkruar ambasadori në Facebook.

Drejtori i doganës, Agron Llugalia, ditë më parë, në një konferencë për medie, ka treguar se dogana ka shënuar sukses sa i përket mbledhjes së të hyrave, pasi që më përfundimin e muajit shtator, të hyrat kanë arritur shifrën e një miliard eurove.

“Kjo paraqet një sukses në krahasim me vitin e kaluar, sepse kemi një rritje të të hyrave prej 33.5 përqind më shumë. Është sukses i gjithëmbarshëm dhe falënderoj kolegët e mi, të cilët kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme në arritjen e këtij suksesi”, është shprehur ai./Llapi.info

Dogana shënon mbledhje të të hyrave në vlerë prej një miliard eurosh