Lëvizja Vetëvendosje nuk mbështet asnjë kandidat për President. Nuk do as konsensus, pa shkuar në zgjedhje. Albulena Haxhiu thotë se nuk kupton pse partive të tjera po iu ngutet, sepse Kosova ka Vjosa Osmanin si ushtruese të detyrës së Presidentit.

Kandidaturat për president kanë nisur. Ato në fakt nuk po merren seriozisht, sepse pazari për këtë pozitë është diku tjetër. Të gjithë sytë janë te ajo se a po pajtohen partnerët e Qeverisë për një emër, në të kundërtën ata kanë paralajmëruar se vendi shkon në zgjedhje, shkruan Gazeta Express.


Vallen së pari e nisi Ramush Haradinaj. Më 12 gusht të këtij viti Këshilli Drejtues i AAK-së e ka autorizuar kryetarin e saj Haradinaj që në emër të Aleancës të zhvillojë bisedime për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit nëse kjo do të jetë në rend të ditës. Madje vet Haradinaj me anë të një statusi në rrjetet sociale asokohe e ka konsideruar këtë propozim një nder të veçantë, duke konfirmuar kështu kandidim për pasardhës të Thaçit në krye të shtetit të Kosovës.

E kjo garë vijoi edhe tek partitë e tjera, teksa si njëra ashtu edhe tjetra këtë post e duan për vete.

Karrigia e presidentit joshi edhe kandidatë të pavarur. Ishte ish-kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi i cili përmes një letre publike prezantoi kandidaturën e tij për parinë e shtetit.

Por, për Nehat Idrizin kanë fjalë të mira në Lëvizjen Vetëvendosje. Albulena Haxhiu, anëtare e kryesisë së kësaj partie ka thënë për Gazetën Express, se ai nuk është një njeri kredibil për këtë pozitë. Kjo për shkak të skandalit me noterët.

“Nuk e di pse partive po u ngutet për këtë çështje. Për sa i përket kandidaturës së z.Nehat Idrizi ne e dimë që ai është njëri ndër pjesëmarrësit e skandalit me noterë, kështu ai nuk është njëri kredibil dhe i duhur për këtë pozitë dhe si të tillë VV-ja nuk do ta mbështesë”, ka thënë Haxhiu.

Ish-ministrja e Drejtësisë theksoi se Kosova tashmë e ka ushtruesen e detyrës së presidentit dhe se nuk duhet të ketë emërim të ri në këtë pozitë pa pasur zgjedhje të përgjithshme.

“Çështja e president është duke u diskutuar me të madhe dhe pa nevojë. Kosova e ka tashmë ushtruesin e detyrës së Presidentit, Vetëvendosje nuk e mbështet asnjë kandidatë për president që pa u mbajtur zgjedhjet e përgjithshme dhe pa pasur një udhëheqje të re”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Për sa i përket çështjes se a ka mbërritur në VV letra e kandidaturës së Nehat Idrizit për president, Haxhiu tha se nuk ka informacione.

“Me aq sa kam informacione kjo letër nuk ka mbërritur. Nuk mund ta them sigurt sepse nuk kam informacione”, ka thënë ajo për Express.

Lideri i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka deklaruar këtyre ditëve që bisedimet për president në mes të partive politike në Kosovë do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme.

Në ndërkohë Sejdi Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha dje në emisionin Frontal në T7, se pozita e Presidentit duhet ti takojë PDK-së.

Ndërsa nga AAK-ja kanë konsideruar që të gjithë votat e tyre për president do të shkojnë për Ramush Haradinajn.

Kriteret për zgjedhjen e presidentit, janë të parapara në nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta parasheh se secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Posti i Presidentit ka mbetur i zbrazët tash e disa javë, që nga dorëheqja e Hashim Thaçit pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale.

Aktualisht në bazë të Kushtetutës këtë detyrës është duke e ushtruar Vjosa Osmani për gjashtë muaj ashtu siç edhe ja lejon Kushtetuta.