Të mërkurën do të mbahet takimi i thirrur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kreun e LDK-së Lumir Abdixhik.

Takimin e Kurtit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, e ka konfirmuar zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halmi.

“Takimi do të mbahet, të mërkurën (26 maj) duke filluar nga ora 11:00”, ka deklaruar Halimi për Express.

Ndërkaq edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

“Po, do të marr pjesë”, ka deklaruar Abdixhiku për Express.

Po ashtu, edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka deklaruar se do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti.

Në takimin me Kurtin nuk do të marrë pjesë kryetari i PDK-së Enver Hoxhaj.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes një statusi në Facebook, ku ka shkruar se i ka dërguar një letër Kurtit për t’i treguar se nuk do të shkojë në takim.

“Kur të ka çështje madhore, PDK është e gatshme të takohet”, thuhet mes tjerash në letrën e kreut të PDK-së.

Një nga çështjet kyçe që pritet të diskutohet me liderët e partive opozitare pritet të jetë edhe procesi i dialogut me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në mesin e qershorit do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ku do të diskutohet rreth mënyrës se si të ecet tutje me dialogun mes dy vendeve. Duke folur pas një takimi joformal në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti tha se ai dëshiron të ketë një dialog të përgatitur mirë dhe se përfundimi i tij duhet të jetë njohja reciproke mes dy shteteve.