Zyrtarë të dy partive opozitare e kanë akuzuar pushtetin e Komunës së Podujevës për tejzgjatje të punimeve në rrugën kryesore të qytetit, që, sipas tyre, pos që po u rrezikohet jeta qytetarëve, janë dëmtuar bizneset dhe po ashtu janë duke jetuar në pluhur e baltë.

Këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, thotë se gjendja është bërë e padurueshme përgjatë kësaj rruge, shkruan sot Koha Ditore.

“Në rrugën ‘Zahir Pajaziti’, që i kushtoi qindra e mijëra euro buxhetit komunal nga papërgjegjësia politike e LDK-së në Podujevë, është bërë e padurueshme gjendja për qytetarët tanë. Bllokimi i bizneseve përreth rrugës, pluhuri dhe gjendja e keqe i kanë përcjellë gjatë gjithë verës. Nxënësit janë të rrezikuar, sepse nuk mund të lëvizin nëpër trotuare, por vetëm rrugës ku qarkullojnë automjetet”, është shprehur Rafet Llapashtica. “Ne tani veç po hyjmë në sezonin vjeshtor dhe koha përkeqësohet dhe kjo dinamikë e lodhtë e punëve që është duke u zhvilluar ka gjasa se do të zgjasë punimet. Kjo qeverisje duhet të pensionohet, sepse Podujevën e ka dërguar në gjendje kolapsi”.

Edhe zyrtarja e VV-së në Podujevë, Edonë Çitaku, ka thënë se qendra e qytetit është shndërruar në një katrahurë.