Është mbajtur sot mbledhja Shtabit Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, i aktivizuar nga kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në bazë të rekomandimit të Agjensionit për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, njofton Llapi.info.

I udhëhequr nga nënkryetarja Marigona Lahu, Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, mbajti takim në të cilin u diskutua gjendja sa i përket përhapjes së zjarreve në komunën e Podujevës.

Nënkryetarja Lahu tha se komuna e Podujevës, ka aktivizuar mekanizmin e emergjencave kundër zjarreve, duke përfshirë këtu institucionet komunale nga sektori i emergjencave dhe zjarrfikësit dhe akterët tjerë relevantë me qëllim që të veprohet në kohën sa më të shpejtë në rast të shfaqjes së rrezikut nga përhapja e zjarreve.

Përfaqësuesi i Brigadës së Zjarrëfiksëve, Ilaz Hoti, tha se gjatë vitit 2021, kjo brigadë ka intervenuar në 301 raste emergjente, ndërsa ditëve të fundit tha se është intervenuar në disa raste, por që nuk kanë qenë të përmasave shqetësuese.

Në takim u ngrit shqetësimi për numrin e vogël të stafit me të cilin operon Brigada e Zjarrfikësve në Podujevë, gjë për të cilën, ditë më parë kryetari Bulliqi u është adresuar instancave qendrore.

Në fund Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, apeloi qytetarët që të mos ndezin zjarre fushore dhe zjarre të tjera që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.

Inspektorati komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është në koordinim të vazhdueshëm për të identifikuar çdo përhapje të zjarrit./Llapi.info