Foto: Llapi.info

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Maloku, për veprën penale “cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”.

Gjykatësi Gazmend Bahtiri, për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se aktgjykimi është shpallur pas seancës së 26 qershorit të këtij viti, gjatë së cilës prokurorja Ajshe Ferati ka hequr dorë nga ndjekja e mëtejme penale.

Sipas gjykatësit Bahtiri, prokurorja Ferati ka deklaruar se për të njëjtën çështje, në lëmine civile, ekzistojnë dy aktgjykime, një i shkallës së parë dhe një i shkallës së dytë.

Siç njofton më tutje gjykatësi Bahtiri, Gjykata në Podujevë ka marrë aktgjykim refuzues në lidhje me këtë rast penal, për çka shpenzimet e procedurës penale bien në barrën e mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar edhe vendimin e shkallës së parë, të marr me 29 qershor, ku thuhet se pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohet në kontest civil.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 10 janar 2019, kishte përpiluar aktakuzën me kërkesë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor, kundër ish-drejtorit Maloku, për veprën penale “cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë nga neni 222 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më 2 korrik 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, kishte marr aktgjykim me urdhër ndëshkimor, ku Malokun e kishte dënuar me gjobë në shumën prej 400 euro.

Kundër këtij vendimi, brenda afatit ligjor, i pandehuri kishte ushtruar kundërshtim me shkrim, për çka seanca ishte mbajtur më 26 qershor 2020, gjatë së cilës prokurorja ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Ajshe Ferati, Maloku po akuzohet se më 15 shtator 2015, në Podujevë, ia kishte mohuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta ashtu siç është përcaktuar me ligj të dëmtuarës Fatbardha Hoti, sipas një konkursi të shpallur në korrik të vitit 2015, nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës, për pranim të kuadrit arsimor për Shkollën Fillore të Mesme të Ulët, “Nuhi Gashi”, në fshatin Dragash, për mësimdhënës të historisë.

Një gjë të tillë sipas prokurorisë, Maloku e kishte bërë edhe pse e dëmtuara i kishte plotësuar të gjitha kushtet ligjore të parapara me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), numër 06/2016, për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm.

Sipas aktakuzës, për shkak të shkeljeve të evidentuara në këtë konkurs, inspektorati i arsimit në MASHT, kishte kërkuar që i njëjti të rishqyrtohej, por një gjë e tillë nuk ishte zbatuar nga ana e drejtorisë që udhëhiqte i akuzuari.

“Inspektori i arsimit i DKA-së për shkak të shkeljeve ligjore në përzgjedhjen e kandidatit i ka rekomanduar kësaj drejtorie që në afat prej 8 ditësh ta rishqyrtoj konkursin për vendin e punës për mësimdhënës për lëndën e historisë, mirëpo edhe përkundër kësaj, të njëjtës ia ka mohuar të drejtën për punësim, duke i shkaktuar dëm material në vlerë të papërcaktuar”, thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj Malokut.

Ndryshe, ish-drejtori Maloku, në mbrojtjen e tij të dhënë në prokurori kishte mohuar kryerjen e veprës penale duke thënë se komisioni i ngarkuar në përbërje prej tre anëtarëve kishte vendos që të pranohet kandidati Mirsad Rashiti në atë pozitë për arsye, se ka plotësuar kushtet për atë konkurs.

Po ashtu, Maloku në mbrojtjen e tij kishte theksuar se nuk ka qenë në dijeni për rekomandimet e inspektoratit për rishqyrtim të konkursit për vendin e punës.