Një aksion është zhvilluar mbrëmë për monitorimin e masave anti-covid nga Inspektorati i Komunës së Podujevës dhe Policisë së Kosovës në këtë Komunë, raporton Llapi.info.

Me këtë rast, janë gjobitur pronarë të lokaleve, restoranteve dhe kafiterive, të cilat kanë qenë të hapura edhe pas orës 22:00. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

“Inspektorët e Komunës së Podujevës bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdimisht janë duke kryer inspektime në teren lidhur me zbatimin e masave anti-COVID.  Një aksion i tillë është realizuar të hënën në mbrëmje, pas orës 22:00, me ç’rast janë gjobitur pronarët e disa lokaleve, kafeterive dhe restoranteve, të cilat janë gjetur të hapura, pas kohës së paraparë me masat për mbrojtëse kundër COVID-19”, ka thënë Zhitia.

Më tej, Zhitia është shprehur se aksione të tilla të Inspektoratit dhe Policisë do të vazhdojnë edhe më tutje, për çka siç ka thënë ai, me qëllim të përkujdesjes së zbatimit të masave anti-covid.

“Inspektorët dhe policia do të vazhdojnë̈ me inspektim në teren, me qëllim të përkujdesjes për zbatimin e masave të reja me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, të cilat hyjnë në fuqi nga 7 prilli 2021”, ka thënë Zhitia.

Gastronomia me masat që janë në fuqi momentalisht, kanë të drejt të punojnë deri në ora 22:00.

Me masat e marra së fundi nga Qeveria e Kosovës, që hynë në fuqi nga dita e mërkurë, gastronomia do të mbyllet totalisht për 12 ditë. Gastronomia do të jetë e mbyllur për 11 ditë që nga nesër, pra 7 prill deri me 18 prill 2021, lejohen të punojnë vetëm me shërbimin “Take aëay”.

Me këtë vendim janë ndarë të pakënaqur përfaqësues të shoqatave të gastronomëve, të cilët kanë paralajmëruar edhe protesta.

Përveç kësaj, Qeveria e Kosovës ka marrë edhe vendime tjera për të frenuar përhapjen e virusit korona.

Institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga 7 deri më 18 prill.

Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë. Mbyllen qendrat tregtare nga 7 deri më 18 prill.

Transporti publik lejohet të punojnë me 50% të kapacitetit. Mbyllen fitneset, lejohen vetëm në ambiente të hapura./Llapi.info