Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur sot në fshatin Gadime të Lipjanit, ku një fëmijë ka mbetur i vdekur.

Dëshmitari i aksidentit, Ardit Ajeti ka thënë për RTV Dukagjini, se ndihma e shpejtë është vonuar rreth dy orë, transmeton Telegrafi.

“Rreth orës 14:00 ka ndodhë një vetëaksident, ku ka mbetur i vdekur një 13 vjeçar, dhe dy tjerë janë lënduar. Vetura ka qenë ne shpejtësi të madhe, policia është vonuar shumë, kurse autoambulanca ka ardhë pas dy orëve, nuk na ka leju policia të japim ndihmën. Lipjani nuk është aq larg që të vonohen aq shumë,. Nuk jemi të kënaqur me ndihmën e shpejtë pasi është vonuar”, tha ai.

Ndryshe, Telegrafi më herët ka raportuar se në aksident ka qenë e përfshirë një veturë e tipit “BMW” me targa të huaja, në të cilin gjendeshin familjarë, ndërkaq njëri nga të lënduarit ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti konfirmoi për Telegrafin se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:00, ndërkaq, personi i lënduar ka ndërruar jetë rreth orës 17:00.

“Sot rreth orës 15:00 në fshatin Gadime të Lipjanit, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Rreth orës 17:15, jemi njoftuar nga QKUK, se njëri nga personat e lënduar në aksident nuk ka arritë të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, tha ajo.

Ahmeti ka theksuar se “policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetëaksidenti.