Dje humbën jetën katër anëtarë të familjes Ramadani nga Shtimja pas një aksidenti trafiku në fshatin Koshare të Ferizajt.

E lënduar rëndë mbeti 32-vjeçarja Ibadete Ramadani e cila është duke u trajtuar në Klinikën Intensive të QKUK-së.

Për të mësuar mbi gjendjen e saj, Indeksonline ka kontaktuar me drejtorin e kësaj klinike, Shaqir Uka.

Uka tregoi që gjendja e saj është shumë e rëndë dhe lëndimet janë mjaft serioze.

Pacientja për momentin është duke u mbajtur në gjendje kome me barna.

“Para disa çasteve është pranuar në mjekim intensiv qendror. Pacientja është sjellur dje pas lëndimeve që ka marrë në aksidentin në komunikacion. Pacientes i janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që është dashur të kryhen në Qendrën e Mjekësisë Emergjente, ka marrë tretmanin fillestar atje dhe është sjellur për të vazhduar tretmanin e mëtutjeshëm mjekësor në mjekimin intensive qendror ku edhe po vazhdon të qendrojë.

Lëndimet janë serioze, duke filluar nga regjioni i kokës, regjioni i gjoksit, regjioni i ekstremiteteve të poshtme. Gjendja e përgjithshme po paraqitet mjaft e rëndë. Pacientja është duke u mbajtur në gjendje kome me barna”, tha Uka për Indeksonline.