Roberta Pistolato, një mjeke që punonte në vijën e parë të betejës së Italisë kundër Covid-19, vdiq ndërsa festonte ditëlindjen e saj të 40-të me të dashurin e saj Angelo Gasparro, 45 vjeç.

Rreth një orë para katastrofës, zonja Pistolato i dërgoi një mesazh përfundimtar motrës së saj, duke i thënë: “Do të hipim në teleferik”.

Çifti i fejuar Silvia Malnati 27 dhe Alessandro Merlo, 29, gjetën vdekjen gjithashtu, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një familje, me origjinë nga Izraeli dhe që jetonte në Itali, humbi pesë anëtarë në tragjedinë e së sielës, duke përfshirë një djalë dy vjeç dhe një gjyshe 81 vjeç, kur kabina e teleferikut ra nga rreth 20 metra lartësi.

Një djalë nëntë vjeç vdiq pasi u dërgua me helikopter në një spital në Torino, ndërsa i mbijetuari i vetëm – një djalë pesë vjeçar – ishte në një gjendje të rëndë me dëmtime në kokë, gjoks dhe këmbë.

Teleferiku po i afrohej një stacioni në majë të malit Motarone me rreth 1500 metra kur “u zhyt” dhe më pas u rrotullua në terrenin e pjerrët dhe u përplas me pemë.

Viktimat po bënin udhëtimin 20-minutësh drejt majës nga qyteti i Stresit për të shijuar pamjet mahnitëse të liqenit Maggiore.

Kryebashkiaku i Stresa, Marcella Severino tha se aksidenti besohej të ishte shkaktuar nga prishja e njërit prej kabllove, megjithëse shkaku ishte ende nën hetim.

Zonja Pistolato dhe Z. Gasparro, të cilët jetonin në Castel San Giovanni, kishin vendosur të ngjiteshin në mal për të festuar ditëlindjen e saj të 40-të, njoftoi la Repubblica.

Zonja Pistolato kishte punuar në qendrat e vaksinimit të coronavirusit dhe kishte vizituar pacientë në shtëpitë e tyre gjatë pandemisë, thanë shefat e saj.

Z. Merlo dhe Zonja Malnati ishin nga qyteti verior i Varese, ku fqinjët treguan për tronditjen e tyre.

Ndërkohë një hetim ka nisur për të identifikuar shkakun e tragjedisë.

Zonja Severino, kryetare e Komunës së Stresa, i tha transmetuesit RAI se alpinistët dëgjuan një fërshëllimë të fortë para rrëzimit menjëherë pas mesditës.

Disa nga viktimat u gjetën të bllokuara brenda makinës, me të tjerët të hedhura në pyll, shtoi ajo.

Teleferiku kishte rifilluar punën vetëm një muaj më parë pas bllokimit të vendit për shkak të Covid-19.

Zyrtarët thanë se sistemi i teleferikëve, i cili u hap për herë të parë në gusht 1970, kishte kaluar nëpër kontrolle të rregullta, me atë të fundit që u zhvillua nëntorin e kaluar.