Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 17:00 te semaforët në Podujevë, raporton Llapi.info.

Në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një biçiklist, ku për pasojë drejtuesi i kësaj të fundit ka mbetur i lënduar. Lajmin për Llapi.info e a konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 17:00 ka ndodhur aksidenti rrugor në mes të një automjeti dhe një biçiklete. Si pasojë lëndime trupore ka pësuar një person. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, është shprehur Ahmeti.

Gjatë 24 orëve të fundit në rrugët e Kosovës kanë ndodhur 51 aksidente, prej tyre, 20 ishin me të lënduar ndërsa 31 vetëm me dëme materiale.

Pas numrit të madh të aksidenteve në vend, sidomos të atyre me fatalitet, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, në një konferencë për medie ka folur për mundësinë e digjitalizimit të trafikut në Kosovë.

Ai foli për mundësinë e shqiptimit të gjobave pa e ndalu personin, “mundësitë digjitale me u bë pa u ndalu fare personi”. Sipas tij, ky plan do të ndihmonte në uljen e numrit të aksidenteve.

“Ne po jetojmë në shekullin 21 dhe gjithashtu shtetet moderne kontrollin e trafikut e bëjnë me mjete digjitale, kamera, senzor, radar, jo përmes formës fizike qysh jemi ne tu e apliku. Ky hap që jemi tu e përgatit do të ndihmojë fillimisht në uljen e nivelit të gjobave, në uljen e aksidenteve ne trafik dhe në vetëdijësimin e qytetarëve”, është shprehur ai pos tjerash./Llapi.info