Një aksident trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen Podujevë – Prishtinë, përkatësisht në fshatin Lluzhan, raporton Llapi.info.

Sipas pamjeve që ka siguruar Llapi.info, shihet se në këtë aksident janë përfshirë tri vetura, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar shtatë persona. Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.

“Sot rreth orës 07:30, në rrugën Prishtinë-Podujevë, respektivisht në fshatin Lluzhan, ka ndodhur një aksident trafiku rrugor në mes tri automjeteve. Bazuar në të dhënat fillestare, si pasojë e aksidentit janë lënduar shtatë persona, të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore”, ka deklaruar Borovci.

Ai ka shtuar se njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve që kanë sjellë deri te ky aksident.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm gjatë së enjtes në Kosovë kanë ndodhur 62 aksidente, prej tyre, 17 kanë rezultuar me persona të lënduar dhe 45 me dëme materiale./Llapi.info