Një aksident trafiku ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën nacionale Podujevë – Prishtinë, përkatësisht në fshatin Gllamnik, raporton Llapi.info.

Në këtë aksident janë përfshirë disa automjete, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona. Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 19:30, në fshatin Gllamnik ka ndodhur një aksident trafiku. Si pasojë e aksidentit ndihmë mjekësore kanë kërkuar tre persona. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, është shprehur ajo.

Sipas statistikave ditore të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë ditës së djeshme në nivel vendi janë regjistruar 62 aksidente, prej tyre, 18 kanë rezultuar me persona të lënduar./Llapi.info