Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se duhet Qeveria e vendit të fillojë të punojë për porosinë e vaksinës kundër COVID-19 dhe për planin e distribuimit të saj.

Ai më anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Qeveria duhet të kërkojë nga komunat që të dorëzojnë plane operative.

“Të gjitha shtetet janë duke punuar në përgatitjet logjistike për vaksinë. Porosia e dozave është veç njëra pjesë. Transporti në -60 gradë dhe logjistika e distribuimit të vaksinave janë sfida që kërkojnë planifikim. Sipas të gjitha gjasave Gjermania fillon me 15 dhjetor, e Britania e Madhe ndoshta edhe më herët. Sipas parashikimeve, në ShBA do të duhen rreth 6-8 muaj që vaksinën ta marrin mjaftueshëm njerëz.

Qeveria e Kosovës duhet që krahas porosisë menjëherë ta bëj gati edhe planin e distribuimit. Duhet të kërkojë nga komunat që të dorëzojnë plane operative”.

“Meqenëse nuk do të mund të vaksinohen të gjithë në të njëjtën kohë duhet të caktojmë procedurat e Përdorimit të Drejtë me prioritete. Është kyçe që së paku të sigurohet sasi minimale ku me prioritet do të vaksinoheshin 1. Punëtorët shëndetësor 2. Të moshuarit dhe 3. Personat me sëmundje kronike”.

“E di që ju duket herët të diskutojmë tani, por mos diskutimi tani na shkakton humbje të dy muajve në fund”, ka shkruar Ahmeti.