Nënkryetari i LDK-së, njëkohësisht kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar ndaj protestave të paralajmëruara sot nga opozita.

Veliu, për Indeksonline, ka thënë se LDK-ja nuk e ka “kap shtetin”, por që atë e ka fituar me vota të popullit.

Sipas tij, opozita, konkretisht Lëvizja Vetvendosje e ka humbur udhën dhe po mendon që vetëm me protesta do të arrihet ndonjë zgjidhje.

“Opozita e ka humb udhën që moti, sepse po mendojnë që me protesta e me dhunë do të arrihet ndonjë zgjidhje e problemeve që ka ky vend”, ka thënë Veliu.

Për protestat që kanë ndodhur deri më tani, Agim Veliu është shprehur se LDK-ja gjatë 100 ditëshit është përballur pa ndërprerë me to, prandaj përkundër tyre, kjo parti ka punuar mjaft për vendin.

“Nuk e di ku kanë qenë ato sindikata deri më tani e që nuk iu është dëgjuar zëri kurrë. Vendi nuk mund të ketë rritje pagash dhe populli e di se sa e ka buxhetin Kosova”, ka shtuar ai.
Veliu ka shtuar se rritja e pagave do ta çonte Kosovën në krizë, sepse buxheti nuk e lejon që të ndodhë një gjë e tillë.

Sipas tij, Kosova duhet të punojë që ta rrisë buxhetin, të krijojë vende pune, ta rrisë ekonominë, pastaj të bëhet rritja e pagave.