Në mungesë të Isa Mustafës në Kosovë, Agim Veliu ka marrë udhëheqjen e LDK’së. Një ditë pasi mblodhi Kryesinë dhe doli me qëndrim pro demarkacionit, ka mbledhur edhe deputetët. Ua ka konfirmuar qëndrimin partiak që të votojnë pro demarkacionit.

“Sot, në takimin e rregullt, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me praninë e nënkryetarit të partisë, z. Agim Veliu, konfirmoi mbështetjen e plotë për qëndrimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në lidhje me ratifikimin e Projektligjit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e LDK’së.

Edhe në këtë njoftim, thuhet se LDK-ja në vazhdimësi ka theksuar se Marrëveshja e 26 gushtit 2015 është në përputhje me të gjitha faktet dhe në interesin e qytetarëve të Kosovës.

“Mosratifikimi i saj deri më tani, vendin tonë e mbajti të izoluar dhe larg perspektivës evropiane, ndërsa qytetarët tanë i la pa të drejtën elementare njerëzore, lirinë e lëvizjes”, thuhet më tej në njoftim.

Lidhja Demokratike e Kosovës sa ishte në udhëheqje të Qeverisë kishte dështuar të conte përpara demarkacionin. Edhe disa deputetë të kësaj partie kishin dalë kundër shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Por, edhe pse në opozitë, kjo parti ka vendosur të japë votën pro kësaj marrëveshje e arritur në kohën kur ishte në Qeveri bashkë me PDK’në.