Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri që në VV kaloi disa javë më parë, nga fshati prej të cilit vjen, ka thënë se është koha që të votohet kjo parti.

“Këtu era po vjen fitore. Le të palohen të tjerët në një anë se era po vjen demokraci dhe se koha është për të rinjtë”.

Nga fshati i tij, Agim Bahirit ka zgjedhur fjalët për të nominuarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Është burrë që ka vizion dhe është i pathyeshëm. Kemi ardh në kohën e fundit, ka filluar diçka e re, po vjen erë fitoreje dhe nuk ka kush që do e ndalë Albin Kurtin”, ka thënë Bahtiri, njofton Klan Kosova.

Bashkëfshatarëve të tij Bahtiri iu tha: “Ju nuk e shitni votën andaj për këtë ju dua juve. Ta shpëtojmë Kosovën se është koha e fundit ose ta lëshojmë Kosovën se s’ka rrugë tjetër”.

Përveç Bahtirit në Gushavc para masës kanë folur edhe tre kandidat për deputetë.

Faruk Mujka që mban pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës, ka thënë se numri i të pranishmëve në organizimin në Gushavc është dëshmia më e mirë se VV do të jetë fituese më 6 tetor.

“Gjatë tre vjetëve të qeverisjes lokale e kemi parë që me Agim Bahtirin e kemi vizionin dhe synimet e përbashkëta,  pra ardhja e tij këtu [në VV] nuk ka qenë e rastësishme”.

Sipas kandidates tjetër nga kjo parti për të fituar një ulëse në Kuvend, Arjeta Fejza, shteti duhet të jetë dora e padukshme që ndihmon çdokënd në mënyrë të dinjitetshme.

“Ky tubim është ndryshe sepse jemi në Gushavc. Këtu PDK e mori goditjen e parë në vitin 2013, 2017 dhe më 2019 përsëri do të fitojë Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Fidan Ademi.