Anglia nuk do të përballet me abuzime raciste me të cilat është përballur gjatë ndeshjes në Bullgari në kuadër të Evropianit 2020 kur të udhëtojë në Kosovë javën e ardhshme, ka thënë presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Anglia do të përballet me Kosovën në ndeshjen e fundit të saj kualifikuese më 17 nëntor, por Ademi thotë se djemtë e Gareth Southgatet nuk kanë për çka të frikësohen në këtë udhëtim dhe ka theksuar lidhjet e forta historike mes dy vendeve.

“Nuk kemi fare brenga për sa i përket racizmit”, ka thënë Ademi për agjencinë e lajmeve PA.

“Kosova për një kohë të gjatë ka vuajtur nga diskriminimi. Na janë dashur dekada përpjekje, vuajtje dhe në fund edhe luftë për t’i dhënë fund këtij diskriminimi. Rrënjët e racizmit janë në diskriminim dhe si i tillë është i dënueshëm në shoqërinë tonë”, ka shtuar Ademi, transmeton Koha.net.

Ademi po i referohej luftës së viteve ‘98-‘99 kur forcat serbe u përleshën me shqiptarët në Kosovë.

Britania e Madhe ishte pjesë e koalicionit ndërkombëtar që detyroi serbët të tërhiqeshin dhe Britania ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

“Roli i Anglisë si vend në çlirimin e popullit të Kosovës nga regjimi shtypës i Serbisë më 1999 ka qenë instrumental”, ka thënë Ademi.

“Por jo vetëm kjo, Anglia është bërë strehë e mijëra refugjatëve kosovarë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës. Secili prej tyre, në një mënyrë apo tjetër, është prekur nga mbështetja e përzemërt dhe bujaria e qytetarëve anglezë. Disa nga këta refugjatë të asaj kohe janë yje sot për shkak se Anglia i strehoi ata, u siguroi shkollim dhe u ofroi mundësi”.

Yjet për të cilat flet Ademi janë yjet e popit si Dua Lipa e Rita Ora. Ora është lindur në Prishtinë dhe prindërit e saj janë larguar për në Britani derisa ajo ishte foshnje, ndërsa Lipa është lindur në Britani pasi prindërit e saj lanë Kosovën.

“Rita Ora dhe Dua Lipa janë artiste të njohura në mbarë botën të cilat, përveç që s’e harrojnë kurrë vendlindjen e tyre dhe e përmendin me krenari, ato s’kanë harruar kurrë të tregojnë mirënjohje për Anglinë dhe për mundësitë që ua ka hapur atyre”, tha Admei në këtë bisedë me agjencinë e lajmeve PA.

“Jemi të sigurt se lojtarët anglezë nuk do të dalin nga fusha për shkak të abuzimit. Lojtarët e të dy ekipeve do të largohen në fund nga fusha të përkrahur nga shikuesit, pavarësisht rezultatit”.