Kompania e njohur ABT Sportsline prezanton modelin e modifikuar të Audit – RS5 Sportback, seria e të cilit do të jetë e kufizuar në vetëm 50 kopje.

Si bazë për këtë model të ri të ABT-së ka shërbyer RS5 Sportback, i cili ka motor 2.9-litër V6 Bi-Turbo të përforcuar në 530 kuajfuqi, transmeton Koha.net. Të dhënat për përshpejtimin dhe shpejtësinë maksimale kompania nuk i ka zbuluar ende.

Gjithashtu, ABT Audi RS5 Sportback vjen edhe me disa elemente nga fibra të karbonit – mbrojtësi i përparmë shtesë (spoiler), maska e përparme, vrima në mbrojtësit anësor të përparmë, pragjet, mbrojtësi shtesë (spoiler) mbi bagazh, si dhe mbrojtësi i pasmë shtesë (difuzer).

ABT, po ashtu, për RS5 Sportback të ri ka zgjedhur edhe sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave me katër gypa, set të ri të rrotave prej 21-inç me ngjyrë të zezë e goma 275/25, amortizatorët e modifikuar, si dhe interier të modifikuar – duke përfshirë detajet nga fibra të karbonit, pllakën “1 of 50”, etj.