Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka akuzuar pushtetin aktual në Kosovë se “po shndërrohet në regjim politik arbitrar, duke devalvuar institucionet publike dhe mekanizmat e pavarur”.

“Pushteti i Albin Kurtit, përveçse është shndërruar në ndërmarrje për punësim familjar, për çdo ditë po shndërrohet edhe në regjim politik arbitrar, duke devalvuar institucionet publike dhe mekanizmat e pavarur”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.

“Kjo tashmë nuk është vetëm pikëpamje jona e bazuar, por edhe pikëpamje e shoqërisë civile, partnerëve strategjik të Republikës sonë dhe çdo qytetari që po i sheh qartazi veprimet e këtij pushteti. Prandaj, ne do t’i kundërvihemi me çdo mjet demokratik e ligjor kësaj mësymje arbitrare”, ka shkruar ai.

Më tej, Tahiri ka thënë se “Grupi Parlamentar i PDK-së, tashmë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin antikushtetues për shkarkimin e Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”.

“Që nga ngjizja e idesë për të ndërhyrë në këtë institucion, tek vlerësimi irracional dhe veprimi arbitrar për shkarkimin e tij, siç edhe në institucionet tjera të pavarura, përbëjnë tendencë të qartë për të shembur çdo traditë të mirëfilltë institucionale, brutalisht e në kundërshti me ligjet e Kushtetutën”.

“Por ne do ta ballafaqojmë këtë pushtet, jo vetëm me këtë rast por me çdo rast e shkelje që po e ndërmerr me paramendim, në dëm të institucioneve publike e të pavarura të shtetit tonë”, ka shkruar ai.