Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut është njëra nga ngjarjet përcaktuese që i ka paraprirë trajtimit të barabartë të Kosovës si pjesë e federatës së RFJ-së.

Tutje ai ka theksuar se deklarata e miratuar në atë kohë është një nga monumentumet më të rëndësishme të artikulimit të vullnetit politik.

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 është njëra ndër ngjarjet përcaktuese dhe qartësisht orientuese që i paraprinte idesë fillimisht të trajtimit të barabartë të Kosovës si pjesë e federatës së RFJ-së, dhe më vonë edhe si platformë për krijimin e shtetit të pavarur dhe demokratik.

Deklarata e miratuar nga delegatët e asaj kohe ishte edhe sot e kësaj dite mbetet si njëra ndër momentumet më të rëndësishme të artikulimit të vullnetit politik të një populli të shtypur dhe të diskriminuar ndër dekada”, tha ai.

Sipas tij Kosova sot nuk duhet të lejojë që të zbehet ky projekt, për të cilin u flijuan gjenerata të tëra.

“Sot, tri dekada nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, Kosova është shtet i pavarur dhe ndonëse me probleme dhe sfida të shumta, prandaj ne nuk guxojmë assesi ta lejojmë zbehjen e këtij projekti për të cilin u flijuan gjenerata të tëra.

Në këtë ditë të rëndësishme, u shprehim mirënjohjen tonë delegatëve të Kuvendit të 2 Korrikut, për guximin në atë kohë me kushte shumë të rënda, që ta artikulojnë vullnetin e popullit për liri dhe pavarësi dhe t’i hapin rrugën Kosovës drejt shtetformimit”, shtoi ai