Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese i hapet rruga votimit të qeverisë së re në Parlamentin e Kosovës.

Forca që mori shumicën në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje, duket se tashmë do të kalojë në opozitë dhe qeveria do të drejtohet nga ish-aleati i tyre, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Haki Abazi, zëvendëskryeministri në detyrë dhe një nga drejtuesit kryesor të Vetëvendosjes, gjatë një interviste në emisionin “Balkan Talk” tha se “nëntoka po frenon zhvillimin në Kosovë”.

Ai tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese u dha në orët e vona të së enjtes, gjë e cila është e çuditshme. Ai deklaroi se për një çështje të ngjashme, gjykata ka vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ne prisnin që të vendosej për zgjedhje të reja, duke e kthyer vendimmarrjen tek sovrani, meqenëse kishte një mocion mosbesimi në Parlament. Me vendimin e mbrëmshëm, si shumë institucione të tjera të Kosovës, tregoi se është e kapur, e ndikuar politikisht dhe ka vepruar në favor të kthimit të fuqisë politike tek një regjim i vjetër”.

I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta pranojë vendimin e institucionit më të lartë kushtetues në Kosovë, zëvendëskryeministri u përgjigj se do ta pranojnë, por nuk pajtohen me këtë vendim.

“Pranueshmëria është një gjë, ndërsa pajtimin me vendimin e gjykatës e kemi bërë publike. Do të vazhdojmë të themi se Gjykata Kushtetuese e ka delegjitimuar veten duke bërë një pamflet politik dhe jo një interpretim të procesit ku gjendet Kosova”.

“Ata që e kanë mirëpritur këtë vendim janë humbësit e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe natyrisht që humbësit do t’i gëzohen një mundësie që përmes ndikimit të institucioneve të përfitojnë në tavolinë. Aq më tepër që kandidati i LDK-së është njeriu që ka më pak vota në listën e saj. Edhe pse partia e dytë, njeriu për kryeministër ka vetëm 26 mijë vota dhe nuk ka fituar as në zonën e tij”.

Më tej, Abazi tha se presidenti Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij i kanë kërcënuar gjykatësit e Kushtetueses.

“Duhet të kuptojmë se nëntoka e Hashim Thaçit me njerëzit e tij kanë bërë kërcënime direkte për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe grupeve minoritare që kanë votuar nën kërcënimet e Thaçit për të mbrojtur interesat. Ajo që shihet në sheshin e Prishtinës nuk duhet ta frikësojë askënd, pasi flasim për një shtet që synon të jetë në BE. Shteti është i qytetarëve, ajo që duhet t’i frikësohemi është nëntoka dhe korrupsioni që nuk e lejon Kosovën që të zhvillohet në mirëqenie dhe dinjitetin e qytetarëve”.

Sipas Abazit, liderët e vjetër të politikës i tremben funksionimit të Gjykatës Speciale kurse për marrëdhënien e Vetëvendosjes me të dërguarin special të presidentit amerikan tha se ka ndikuar gatishmëria Thaçit për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë.

“Thaçi e shikon si mundësi të mbijetesë politike, e cila është e mbështetur në lojëra të pista. Kjo e bën të komplikuar çështjen e marrëdhënies me ambasadorin Grenell, i cili mendoj se është ndikuar gatishmëria e madhe e Thaçit që në shpejtësi të arrijë një marrëveshje duke përjashtuar nga dialogu qeverinë Kurti”./ Euronews.al