Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë dekretit të presidentit për t’u formuar qeveria e re.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se partia e tij e mirëpret aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese dhe  ka ftuar të gjitha partitë politike të vazhdojnë “traditën e krijuar deri më sot në respektimin e aktgjykimeve të Kushtetueses”.

Sipas Limajt, aktgjykimi i sotëm i dha fund dilemës nëse Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të zgjedhë një qeveri tjetër nga partia e dytë pas mocionit të suksesshëm për rrëzimin e qeverisë apo jo.

“Aktgjykimi sotëm i Gjykatës Kushtetuese qartëson rrugët kushtetuese që duhet ndjekur për formimin e institucioneve, si dhe do të kontribuojë në evitimin e ngërçeve institucionale në të ardhmen”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se e përshëndet aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij i hap rrugë formimit të Qeverisë së re.

“Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar Haradinaj po ashtu në Facebook.