A paguajmë çmimin më të lartë në rajon të energjisë elektrike?

Ka kohë që qytetarët e Tetovës ankohen për çmimin e lartë të energjisë elektrike në Maqedoni, e cila, sipas tyre, është më e larta në rajon, mesatarisht rreth 100 euro në muaj.
Për këtë shkak më herët janë bërë madje dhe disa protesta nga ana e gupeve të ndryshme të qytetarëve që ankohen se nuk kanë mundësi të shlyejnë borxhet e energjisë elektrike që harxojnë në familjet e tyre me të ardhura të vogla ose me ndihma jo të rregullta sociale. Por nga EVN thonë që ata nuk i përcaktojnë çmimet.

Për të kuptuar se si paguajnë në vendet tjera, Portalb anketoi edhe shtetas tjerë duke i pyetur se sa paguajnë rrymë elektrike në vendet ku jetojnë.

Alban Bytyqi nga Prishtina tha: “Jemi 5 anëtarë, nuk ngrohemi me rrymë dhe paguajmë mesatarisht 30 euro në muaj”.

“Për 4 anëtarë sa jemi ne paguajmë 30-35 euro në muaj rrymë elektrike”, tha Ervin Zyfi nga Tirana.

Rrymë elektrike dukshëm më të lirë se qytetarët e Maqedonisë duket se paguajnë edhe shtetasit e njërit ndër vendet me standardin më të lartë jetësor në botë siç është Norvegjia.

Memetali Sulejmani që jeton në Oslo të Norvegjisë thotë se ngrohet me rrymë dhe paguan 60 euro në muaj.

Anketa e bërë nga Portalb me 5 qytetarë të Tetovës, familjet e të cilëve përbëhen nga 4-5 anëtarë, dëshmon që të njëtit janë të obliguar të paguajnë 70 deri 100 euro në muaj edhe atë ngrohen me dru e jo me rrymë elektrike.

“Ne paguajmë shuma astronomike për rymën elektrike, që nuk është fare në përputhje me nivelin e pagave që marrim. Më e keqja është se me njehësuesit e rinj të rymës që shpenzojmë nuk mund t’i kontrollojmë fare dhe kjo na bën të jemi dyshues në transparencën e EVN-së”, thotë për Portalb pensionisti Agimi Sulejmani.

Të nëjtën gjë e thonë edhe disa qytetarë të tjerë të cilët i takuam në postën e qytetit duke pritur në rradhë të bëjnë pagesat e rymës elektrike. Ndër ta ishte edhe Florim Ademi, një punëtor i përkohshëm në vendet e jashtme. “Nuk arrij ta kuptoj çmimin kaq të shtrenjtë të rymës në një shtet kaq tq varfër si Maqedonia. Kur t’ia shtosh kësaj edhe çmimin e ujit dhe të bërllogut del se është shumë më e madhe se ajo e pagave mesatare të vendit. Kam punuar një kohë jashtë dhe mund të them se atje është çmimi më i ulët se këtu”.

Portalb bisedoi me përfaqësuesen e EVN-së, Vlera Gjakova, e cila tha se çmimet, tarifat dhe struktura tarifore në Republikën e Maqedonisë përcaktohen nga Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRE).

“EVN nuk është përgjegjëse dhe nuk përcakton çmimin e energjisë elektrike. Gjithashtu, nuk është në kompetencë të EVN-së të përcaktojë tarifat dhe strukturën tarifore. Së dyti, nga çmimi i plotë i rrymës të cilën e paguajnë qytetarët, 50% i takon ELEM-it, 44% EVN-së dhe 6% i takon MEPSO. ” tha ajo.

Portlalb: Sa përqind e qytetarëve/ familjeve të cilat nuk e paguajnë energjinë elektrike, përkatësisht rreth asaj se a e paguajnë të tjerët shumën e jopaguesve apo vjedhësve të rymës?

“Përqindja e pagesës në QEK-un e Tetovës sipas raportit të fundit për pagesë për konsumatorët nga kategoria e amvisërisë është 86.9%, me çka nënkuptojmë se pjesa tjetër e jopaguesve është vetëm 13.1%. Kurse, për sa i takon pjesës së dytë të pyetjes suaj, mund të them se: EVN-ja nuk e alokon (apo) nuk e ndanë borxhin e akumuluar të konsumatorit – që nuk e paguan me ata që e paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar, por futen në fuqi mekanizmat ligjore të cilat, natyrisht përcaktohen nga rregulloret legjislative. Sipas mekanizmave ligjore, të gjithë konsumatorët që kanë borxh të akumuluar të energjisë elektrike paditen dhe ndërrmiren procedura të tjera për pagesë” tha Gjakova.

Sipas saj, EVN-ja ka instaluar 99,5 % e njehsorëve në rrjetin e shpërndarjes. Në Tetovës, 99.4% e njehsorëve të vjetër janë ndërruar.