Përkundër paralajmërimeve se disa zyrtarë të UEFA-s do t’i inspektojnë disa ndeshje të kësaj xhiroje në Superligë dhe Ligë të Parë, skuadrat kosovare po vazhdojnë të tallen me UEFA-n.

Llapi luajti me gjysmë zemre ndaj Feronikelit, me ç’rast drenicakët fituan tre pikë tejet të mëdha në luftën për titull, titull të cilin realisht e ka në dorë, shkruan GazetaBlic.

Një barazim në ndeshjen e fundit për djelmoshat e Zekirija Ramadanit do të thoshte se ekipi nga “Rexhep Rexhepi” do të zyrtarizohej si kampion i Kosovës për edicionin 2018/2019.

Prishtina në anën tjetër fitoi pastër ndaj Trepçës’89 me rezultat 3-0, për t’i mbajtur gjallë shpreat për kampion, ku vetëm fitorja i konvenon në xhiron e fundit.

Gjatë orëve të para të ditës së sotme, bastorja e njohur ndërkombëtare kishte hequr nga bilteni zyrtare ndeshjen Llapi-Feronikeli, teksa zvogëloi koeficientat në takimet që i parashikoi.

Pra, mundësia e barazimit në takimin Drenica-Ballkani llogaritej me koeficient të lartë, por që i njëjti u zvogëlua dukshëm në orët e pasditës. Parashikimi doli të jetë i saktë. Drenica e Ballkani ndanë pikët duke luajtur 1-1 në “Bajram Aliu”.