Edhe pse është paralajmëruar se qysh nga nesër të nis puna edhe gjatë të dielave për të gjitha bizneset në Podujevë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, raporton Llapi.info.

Kjo, pasi që vendimi i ri nuk është hyrë ende në fuqi, ndërsa i njëjti po shqyrtohet nga Ministria e Pushtetit Lokal (MAPL). Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i cili ka theksuar se derisa të verifikohet vendimi i ri, mbetet në fuqi vendimi i vjetër që ndalon operimin e punës për bizneset në territorin e Podujevës.

“Nesër nuk punohet pasi ende nuk ka hyrë në fuqi vendimi për pezullimin që dita e diele të jetë pushim. Vendimi hynë në fuqi pasi që të verifikohet ligjshmëria e këtij vendimi nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe shtatë ditë pas publikimit të vendimit në web-faqe të Komunës. Deri atëherë, mbetet vendimi i vjetër në fuqi”, është shprehur Zhitia.

Në seancën e fundit të mbajtur në Kuvendin Komunal, me kërkesë të kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi, është marrë vendim që të pezullohet pjesa e Rregullores për orarin e punës te pjesa ku e ndalonte punën ditën e diel. Kjo ndalesë do të vlejë deri më 30 shtator, ndërsa deri atëherë do të punohet në plotësim-ndryshimin e kësaj Rregulloreje.

Me këtë vendim janë shprehur të pakënaqur disa pronarë të bizneseve, të cilët me protestë e kanë kundërshtuar këtë vendim. Ata e kanë dorëzuar edhe një peticion me 145 nënshkrime, ku kërkohet që dita e diel të mbetet pushim, siç ka qenë nga viti 2020./Llapi.info